Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Degës së PDK-së në Pejë.

Haliti nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka thënë se pas shumë kërkesave, sugjerimeve që ka pranuar ai ka vendosur të kandidojë për kryetar të Degës së PDK-së në Pejë,

Tutje Haliti ka premtuar se PDK në Pejë, do të jetë kryefjala e Dekadës së re në Kosovë.

Shkrimi i plotë:

“Të dashur anëtarë, votues dhe simpatizantë të PDK-së në Pejë,

Pas shumë kërkesave, sugjerimeve të vazhdueshme dhe bisedave të sinqerta me ju, sot edhe zyrtarisht e kam shpallur kandidaturën time për kryetar të Degës së PDK-së në Pejë.

Vullneti, angazhimi dhe puna e juaj serioze për të mirën e PDK-së, paraqesin motiv shtesë për mua që delegatëve t’ju kërkoj besimin që ta drejtoj këtë degë edhe për katër vite të tjera.

Unë besoj fuqishëm se pas një pune të madhe të përbashkët në terren, që kemi bërë këto ditë, ku për herë të parë janë themeluar mbi 50 nëndegë, PDK-ja në Pejë do të jetë më unike, më e besuar, si dhe më e votuar se sa ndonjëherë më parë nga qytetarët.

Zotohem se me gërshetimim e gjeneratave, përkatësisht përvojës së veprimtarëve të hershëm dhe ideve inovative të veprimtarëve të rinj, PDK-ja në Pejë do të jetë kryefjala e Dekadës së re në Kosovë.

Ju faleminderit nga zemra për angazhimin, mbështetjen dhe rrugëtimin tonë të përbashkët edhe në të ardhmen”.