Shembulli për t’u ndjekur sukseset e një sportisteje kosovare në xhudo ekziston. Është kampionia e botës, Majlinda Kelmendi. E rrugëve të saj po shkon edhe 16-vjeçarja nga Podujeva, Gentiola Mani, shkruan Llapi.info

Ngjason me Majlinda Kelmendin. 16-vjeçarja nga Podujeva, Gentiola Mani vazhdon të korrë suksese në xhudo. Brenda pesë vitesh, Mani ka fituar 13 medalje, 7 prej tyre të arta.

Mani në vitin 2018 është shpallur edhe kampione e Kosovës në kategorinë deri në 63 kilogramë. Thotë se synim e ka të arrijë sukseset e xhudistëve të Kosovës që po i sjellin Kosovës medalje nga vendet e botës.

Por, për ta arritur këtë ajo kërkon mbështetje, e sidomos financiare. Mani ushtron në klubin e xhudos “Llapi” në Podujevë. Mirëpo, kushtet dhe mundësitë brenda tij janë të vogla. Mani trajner ka Idriz Mehmetin dhe ushtrimet i kryen tri herë brenda javës në palestrën sportive “Hakif Zejnullahu”.

“Tani i bëjë pesë vjet që ushtroj në klubin e xhudos “Llapi”, synoj ta përfaqësoj Kosovën jashtë vendit. Deri tash kemi arritur suksese, por nuk po kemi mbështetje prej askujt. Kisha dashur të kemi mbështetje sidomos financiare nga Komuna e Podujevës. Ushtrojmë në palestrën sportive “Hakif Zejnullahu”, mirëpo kemi pasur premtime se do të ndërtohet një palestër me të gjitha mjetet për vitin 2019, por ende as që është filluar të punohet në atë drejtim”, thotë Mani për Llapi.info

Duke folur për kushtet minimale që ajo dhe klubi i saj vijojnë përgatitjet, Mani thotë se në vit si klub nga Komuna i marrin vetëm 600 euro. Por, që sipas saj, nuk i mbulojnë shpenzimet as për veshjet e duhura sportive.

“Deri më tani kam 7 medalje të arta, katër të argjendta dhe dy të bronzta. Vitin e kaluar kam qenë kampione e Kosovës. Si klub kemi nevojë për buxhet dhe mbështetje. Synimi im dhe si klub është ta përfaqësojmë Kosovën dhe të stolisemi me medalje. Na ka ftuar edhe Driton Kukaj si klub të shkojmë tek ai në Pejë, por tani nuk po mundemi për shkak të shkollimit. Kemi pak mbështetje financiare, vetë 600 euro në vit nga Komuna e Podujevës për të gjithë klubin. Na është dashur vetë t’i blejmë edhe veshjet sportive për podium”, vazhdon Mani.

Me xhudo, Mani ka filluar të merret qysh në moshë të re. Në gara të shumta të mbajtura në Kosovë, ajo është shpallur edhe më e mira. Thotë se ajo dhe klubi do ta japin maksimumin që t’i arrijnë qëllimet.

“Është mirë për t’i ndjekur hapat e xhudistëve të Kosovës si Majlinda, Distria e të tjerët. Xhudo, për mua është më shumë se xhudo, çdo kohë mendoj për teknikat e reja. Nëse kam mbështetje do të bëjë çmos që ta arrijë ta përfaqësojë Kosovën. Do ta jap maksimumin për t’u ushtruar të bëhemi si Majlinda Kelmendi dhe ta përfaqësojë Kosovën në vendet tjera të botës. Do ta japim maksimumin si klub t’ia arrijmë qëllimet tona, por gjithnjë me përkrahje”, ka thënë Mani./Llapi.info