Analisti politik, Ymer Mushkolaj, ka reaguar pas mbledhjes së Kuvendit të LDK-së në Podujevë, ku Ekrem Hyseni u zgjodh kryetar i kësaj dege në Llap, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Mushkolaj ka ironizuar me Veliun, duke shtruar një pyetje në lidhje me një tjetër shkarkim të ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veliu.

“Prapë e paskan shkarku Agim Veliun a”, ka shkruar ai.

Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së, në një mbledhje të strukturareve të mbajtur sot në ora 12:00. Ai mori 74 pro dhe një abstenim.

Ndaj thirrjes së këtij Kuvendi ka reaguar edhe ish-kryetari i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, të cilin e ka quajtur si të paligjshëm dhe kundër statutit.

“Të dashur veprimtarë, anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës. Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë”, ka shkruar Veliu në Facebook.

“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë. Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, thotë Veliu./Llapi.info