Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri ka reaguar pasi që kryeministri Albin Kurti ka vendosur që të tërhiqet nga Ligji për Zgjedhjet.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Ymeri ka shkruar se tash që Kurti u tërhoq a i bie se edhe ai u vendos në anën e kundërshtarëve të këtyre të drejtave.
Sipas tij, prapë pushteti po mbetet pushtet.
Postimi i tij i plotë:
Çfarë humbje e turpshme. Dhe e panevojshme.
Deri sot paradite, Kurti dhe telallët e tij e paraqisnin amandamentimin e Ligjit për Zgjedhjet sikur themelin e avansimit të të drejtave për mërgatën. Tash që Kurti u tërhoq, a i bie se edhe ai u vendos në anën e kundërshtarëve të këtyre të drejtave?
Apo thjeshtë politikisht i theu hundët që në betejën e parë. Dhe arsyeja për këtë: sepse e zgjodhi betejën e gabuar në kohën më të gabuar.
Mbase prapë nuk kemi ndryshim. Prapë pushteti po mbetet pushtet. Arrogant, shpërfillës, egoist, inatçorë, me tendenca nënshtrimi e poshtërimi ndaj gjithë tjerëve, mendjen te vetja e fare të tjetri.
Sfida më e madhe e provincialit me pushtet megjithatë po mbetet e njëjta: si t’i shmangemi delirit të pushtetit e përjetimit megaloman për veten në pushtet.