Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se nga ky sulm përveç dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, tha ai.