Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i është përgjigjur kritikave të opozitës për rritjen e pagës minimale që po e synojnë.
Ai tha se ia “rikujton” opozitës se 11 vjet paga minimale ka qenë e njëjta, pa u rritur.
“Për opozitën që po kërkon rritje të pagës minimale deri në 400 euro, ua rikujtojmë se herën e fundit kur paga minimale është rritur ajo është rritur për 10 euro, përkatësisht 50 Euro. Nga 120 Euro siç ishte vendosur në vitin 2005 në 130 dhe 170 Euro në 2011. Që atëherë e gjithë opozita e sotme, të gjitha me radhë, herë njëra e herë tjera, e besa herë të gjitha bashkë, kanë qenë në qeverisje. Por për 11 vjet, paga minimale mbeti e njëjta. Sot, po u duket e pamjaftueshme rritja e synuar në 264 euro – që është rritje prej 134 euro dhe 94 euro. Edhe një herë Qeveria Kurti po bën më shumë për qytetarët për një vit se çka kanë bërë të gjitha bashkë për më shumë se një dekadë”, ka shkruar Kryeziu.
Përveç pagës minimale, opozita ka kritikuar edhe ndarjen e 100 eurove për disa kategori të shoqërisë, duke e cilësuar si një vendim që s’i ndihmon ekonomisë së Kosovës.