Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar qëllimin e vizitës dhe qëndrimit të kryeministrit Kurti në Greqi.
Kryeziu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik.
“Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit”, ka shkruar Kryeziu.
Më tej ai ka thënë se “Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga ‘The Economist’ dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI”.
“Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka shkruar ai, duke postuar edhe linqet e postimeve nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara në këtë simpozium.
“Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota”, ka treguar Kryeziu.
Ai ka treguar se kryeministri është interesuar për gjendjen e të helmuarve në Deçan.
“Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj”, ka shkruar Kryeziu.