Këshilltarja komunale nga radhët e PDK-së, Floretë Zejnullahu në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin e Podujevës, ka thënë se rruga në lagjen ‘Mehana’ në fshatin Lladoc vazhdon të jetë e pakalueshme, njofton Llapi.info
Kur po diskutohej për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2019 – 2021, Zejnullahu potencoi se në këtë lagje me rrugë të mjerueshme, jeton një familje me një fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Tek ndërtimi i rrugëve në fshatin Lladoc, deshta me ditë për cilat rrugë janë të përfshira në këtë projekt. Rruga në lagjen e Mehanëve është e pakalueshme edhe një familje e kanë një fëmijë me aftësi të veçanta dhe nuk mundet me kalu gjendjen e mjerueshme në këtë rrugë” ka thënë ajo.
Më tej ajo ka kërkuar një përgjigje në lidhje me asfaltimin e rrugëve duke shtuar se a parashihet të rregullohet një rrugë vetëm me zhavor apo edhe me asfalt.
Në lidhje me këtë, Zejnulluahu nuk ka marrë përgjigje pasi që në këtë seancë nuk ishte i pranishëm Drejtori i Urbanizmit në Podujevë.
Kurse Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi i tha Zejnullahit se në fshatin Lladoc këtë vit janë paraparë 950 metra me kanalizim dhe 100 metra trotuar në pjesën e epërme./Llapi.info