Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, tha se problemi në Kosovë është krijimi i sistemit gabim.
Ai ka thënë se vetë deputetët kanë shitore që shesin mish të prishur, firma ndërtimi e çka jo tjetër.
Zeka ka treguar edhe një rrëfim për një ish-ushtar të UÇK-së.
“Ka qenë një luftëtar, histori brilante, një snajper i UÇK-së, thoshte e merrsha në shenj me vra Zoranin, po thosha qysh me vra Zoranin kam shit cigare me të, kam bërë tregti të cigareve. Tak t’ia krissha Jovanit, thosha qysh me vra Jovanin që kam bërë biznes me të. Problemi është që me hi me bë njëfarë rëntgeni. Këtu gjysma e deputetëve dalin se kanë shitore, shesin vetë mish të prishur, shesin mallra të prishtë. Ka deputetë që kanë firma të ndërtimit, ndërtojnë lidhje e pa lidhje, që me ndodh ndonjë termet rrëzohemi të gjithë. Ka deputetë që merren me naftë, me barna, e këtu është problemi i sistemit, pra sistemi është krijuar gabim”, tha Zeka.
Sipas tij, udhëheqësit e AUV-it duhet shkarkuar, ose të japin dorëheqje. Deputeti Zeka tha se duhet shqetësuar edhe për hyrjen e miliona tonelatave të qumështit pluhur, duke mashtruar qytetarët se po prodhojnë qumësht origjinal.
Sipas deputeti Zeka, ‘këtu është rrjeti kriminal nga dogana deri tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës’.
Zeka po ashtu ka folur edhe për cilësinë e bukës, duke thënë se buka fryhet pesë herë mbi mesataren, derisa tharmi i bukës që përdoret për fryrjen e bukës është kancerogjen.