Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth kontratës së Qeverisë së Kosovës me kompaninë Pfizer për sigurimin e vaksinave antiCOVID.
Zemaj tha se Pfizer i ka dhënë leje që të publikojë informata nga kontrata mes palëve duke shtuar se çmimi dhe kriteret negociuese të marrëveshjes janë elementet e vetme që duhet mbetur konfidenciale.
“Për publikun, me datë 5 janar, në komunikim i jam adresuar përfaqësuesve të Pfizer se çfarë mund të ndajmë me publikun dhe përfaqësuesit e Pfizer kanë thënë se është në interes të çdo qeverie se cilat informacione dëshiron t’i sigurojë për publikun. Përfaqësuesit e Pfizer na kanë lejuar që ne kemi një marrëveshje me Pfizer dhe se ju i keni të siguruara 535 mijë vaksina, por ju nuk mund të komunikoni çmimin dhe kriteret negociuese”, ka deklaruar Zemaj në ATV.
Ai tha se disa ditë pasi u largua nga pozita e ministrit, i erdhi një njoftim nga kompania Pfizer lidhur me vazhdimin e procesit të negocimit për furnizim me vaksina antiCOVID.
“Menjëherë në ditët pasuese ka ardhur prapë kërkesa tek unë nga Pfizer, se a mundem të vazhdojmë me nënshkrimin e kontratës, dhe të njëjtën e kam adresuar tek ministri aktual”, ka shtuar Zemaj.
Lidhur me raportimet e mediave për anashkalimin e kontratës nga ministri aktual, Arben Vitia, Zemaj ka thënë se anashkalimi i afateve të nënshkrimit të kontratës sjell pasoja në procesin e furnizimit me vaksina antiCOVID.
“Natyrisht kjo kontratë ka pasur afate, siç është bërë e ditur se ka qenë 15 prilli, por pse nuk është nënshkruar kontrata, atë mund ta thotë ministri aktual”, ka thënë Zemaj, i cili ka thënë se përmes formës së negocimit Kosova mund të furnizohet me vaksina vetëm në fund të vitit 2021.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka kritikuar qeverinë Kurti për tentim-marrjen e meritave me rastin e furnizimit me 22 mijë doza të vaksinave nga COVAX.