Zenel Zeneli nga fshati Bardhosh i Prishtinës mban dy plumba të gomës në trupin e tij. Por, njëri që i shkakton probleme shëndetësore është aq afër zemrës sa që mjekët e kanë të pamundur largimin e tij. Ai ishte plagosur më 10 shkurt të vitit 2007 derisa po merrte pjesë në protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më 10 shkurt të vitit 2007, Lëvizja Vetëvendosje organizoi protestë kundër Planit të Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Në këtë protestë policët rumunë, pjesëtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), përdorën plumba gome duke vrarë dy persona dhe plagosur mbi 80 persona.

Deri më sot askush nuk është dënuar për viktimat e shkaktuara në këtë protestë.

Njëri nga të plagosurit edhe sot jeton me dy plumba gome në trup, është Zenel Zeneli nga fshati Bardhosh i Prishtinës i cili mban dy plumba të gomës në trupin e tij.

Atij i ishte dashur kohë e gjatë për shërim ku një pjesë të shpenzimeve ia kishte mbuluar misioni i UNMIK-u.

“I pari kam dalë në protestë, kështu vet me dëshirë dhe jam plagosur si ka filluar protesta. Jam i plagosur në vitin 2007 në protestën e Vetëvendosjes”, ka thënë Zeneli, për REL.

Sipas tij, një plumb që i shkakton probleme shëndetësore është aq afër zemrës saqë mjekët e kanë të pamundur largimin e tij.

“Një plumb e kam, do të thotë kur jam goditur në pjesën këtu, e kam në mbështjellës të zemrës edhe një e kam në këmbën e djathtë. Mjekët janë frikësuar se po e lëshon njëfarë yndyre, sepse është plumb i gomës me metal. Është rrezik për operacion, në qoftë se të keqësohet gjendja duhet të merret me urgjencë, t’i nënshtrohem operimit”.

“Ne kemi dashur të kalojmë, e dini, afër Qeverisë në atë pjesë andej, por atëherë nuk na kanë lejuar policia. Kanë qenë njësitet rumune, kanë gjuajtur me gaz lotsjellës. E kam pa, e kanë hedhur një bocë, ka qenë shumë tym, por ajo bocë ka përfshirë, si të them, ka kërcitur dhe e ka përfshirë atë pjesë. Në ato moment ne kemi qenë shumë të bllokuar. Pastaj vetëm kam parë që më është nxehur gjoksi dhe e kam parë gjoksin krejt me gjak. E kam ditur se diçka ka ndodhur me mua, por sa jam larguar prej aty, më kanë goditur këmbën e djathtë. Pastaj, në ato moment, më s’kam ditur, derisa duke shkuar në spital, do të thotë duke më transferuar”, thotë ai, përcjell Telegrafi.

“Atëherë kam pasur edhe gjakderdhje shumë. Nuk kanë guxuar kurrfarë intervenimi. E kanë bërë intervenimin, në fakt, sepse unë kam pasur gjashtë orë e gjysmë operacion. Është në atë pjesë, kam qenë, do të thotë diku katër javë deri në pesë në gjendje kome. Edhe në komë sa kam qenë, do të thotë ka qenë vështirë sepse cdo herë me ëndrra, me protesta, kam pasur dhimbje shumë. Kam hequr me shpirt si thonë. Me shpirt se kam pasur dhimbje të hatashme kur më ka dalë koma, që jam zgjuar pastaj, nuk kam guxuar as të fle sepse më kujtoheshin ato”.

“Raportet e mjekut çka i kam, kontrollet e këto në fillim, më ka thënë mjeku që t’i nuk guxon të punosh asnjë lloj pune, deri në pesë kilogramë nuk guxon të punosh. Jetoj me tre fëmijë, shoqen, vetë i pesti dhe dy pleq. Po vështirë (vallahi) se që prej 2007-s, me dhimbje. Vështirë është shumë se trupi nuk e duron pjesën e huaj në trup, por çfarë të bëj”.

“Në 2007 ka ndodhur, 2008 aq fort që na kanë lodhur, kanë qenë të UNMIK-ut, kanë qenë këtu do të thotë çdo ditë. Pas një viti që ka kaluar, aty më 2008 deri pas 2009-shit, as që i ka interesuar ndokujt, sikur të mos kishte ndodhur asgjë hiç”, ka thënë Zeneli.

Në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 u vranë dy aktivistët të Vetëvendosjes, Arben Xheladini e Mon Balaj.