BE duhet ta detyrojë Prishtinën të ndryshojë kuadrin ligjor dhe rregulloren e brendshme, në mënyrë që statuti për formimin e Asociacionit të komunave serbe të përfshijë parimet e përgjithshme të nënshkruara me marrëveshjen e Brukselit të 2015.
Kështu ka deklaruar ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.
Duke folur në fillim të takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë me anëtarët e Grupit Drejtues për krijimin e Asociacionit në Zveçan, ai shtoi se është dakorduar dhe nënshkruar që të dyja palët duhet të përshtatin rregulloret me qëllim të përmbushjes së të gjitha marrëveshjeve, veçanërisht deri në formimin e Asociacionit.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë sot se Asociacioni do të formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se ultimatumi i dhënë nga Lista Serbe, se nëse nuk bëhen hapa konkretë nga Qeveria e Kosovës, ata do ta formojnë atë njëanshëm, nuk do të ketë ndonjë efekt, transmeton Klan Kosova.
Institucionet e Kosovës kanë themeluar një grup punues, i cili do të merret me hartimin e Statutit të Asociacionit, ndërsa dje në Beograd, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do ta presë këtë ekip që ta kryejë punën e vet brenda afatit prej 3 muaj e gjysmë.