Numri i madh i zëvendësministrave përveçqë është i panevojshëm, sipas analistit dhe ish-drejtorit të lëvizjes “FOL”, Petrit Zogaj, krijon edhe vështirësi të mëdha në menaxhimin e punëve dhe ndarjen e përgjegjësive brenda ministrive.
Sipas Zogajt, afro 80 zëvendësministrat e kabinetit aktual nuk i japin llogari askujt brenda Qeverisë. Ka thënë se e vetmja llogari që ata japin është ndaj klaneve e klientelës partiake mbi punësimet eventuale, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas tij, në shumë raste zëvendësministri ka autoritet edhe më të madh se vetë shefi i tij. E barra buxhetore për një numër kaq të madh të zëvendësministrave ka thënë se është e madhe. Zogaj përllogarit se kostoja vjetore e shpenzimeve të tyre kap shifrën prej 2.4 milionë eurosh.
Kjo, sipas tij, përbën 10 për qind të investimeve kapitale në arsim për vitin 2018, 14 për qind të investimeve kapitale në shëndetësi, e dyfishin e investimeve kapitale në sistemin e drejtësisë. Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Zogaj ka folur edhe për punën e Qeverisë gjatë këtyre muajve. Ka theksuar se kjo qeveri nuk ka dinamikë, por ka inercion.