Tre zëvendësministra nuk po shihen të mjaftueshëm për punën që pretendohet se po bëhen në Ministrin e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj. Zëvendësministri Idriz Selimaj, ankohet se në shumicën e ditëve të punës ai nuk mund të ha as drekë. Thotë se në këtë ministri ka punë edhe për më shumë zv/ministra.
Zëvendësministrat që ankohen se s’kanë kohë as për drekë
Dy zëvendësministra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe një nga Partia Demokratike e Kosovës kompletojnë ekipin e zëvendësministrave në Ministrinë e Infrastrukturës të cilët komandohen nga ministri i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.
Kritikat në drejtim të Qeverisë Haradinaj, për numrin e lartë të zëvendësministrave, Idriz Selimaj i sheh të pabaza. Thotë se këto kritika kanë ardhur nga rasti i zv/ministrit Gjergj Dedaj i cili ishte ankuar për shpërfilljen nga ministri qe gjashtë muaj.
Selimaj thotë se po të kishte qenë i shpërfillur në atë mas nga ministri i tij nuk do të kishte mbajtur postin e zv/ministri asnjë ditë.
“Punë këtu kemi sa dush vetëm një çështja ta potencoj aktualisht janë mbi 160 projekte duke u zhvilluar të cilat duan mbikëqyrje, duan angazhim përveç kësaj zotëri Gjergj Dedaj më duket se e pat emrin, kishte deklaruar se nuk ka kontakt me ministrin qe gjashtë muaj, po të isha unë në vendin e tij asnjë ditë nuk do të isha zëvendësministër i shpërfillur në atë mas”, ka deklaruar ai për Insajderin.
Selimaj teksa ka treguar punën e tij prej zv/ministrit ai ka deklaruar se në shumicën e ditëve të punës nuk arrin të hajë drekë fare për shkak të punëve që sipas tij po kryhen në Ministrin e Infrastrukturës.
“Kurse për dallim prej tina [Gjergj Dedajt] në Ministrinë e Infrastrukturës jemi të informuar Online me agjendën e ministrit pasi duhet ta asistojmë atë sepse nuk ka mundësi me i mbërri të gjitha vetëm ngjarjet protokollare. Përveç kësaj kemi autorizime me u shtri deri tek departamentet e fundit me i asistu me i ushtruar politikat e ministrit, kemi punë sa dush shumicën e ditëve as drekë nuk ha”, ka thënë ai.
Selimaj si një ish-polic i Kosovës tregon se si zv/ministër është i angazhuar në Inspektorat. Thotë se patriot i ditëve të sotme është ai person që krijon të ardhura për dikë tjetër e jo vetëm për vetën e tij.
“Për mua sot patriot është ai që krijon të ardhura për dikë tjetër dhe jo vetëm për vete. Unë i kam atje 15 punëtorë që presin nga unë dhe unë jam angazhuar fuqishëm në gjitha departamentet dhe më së shumti në inspektorat sepse inspektorati është çelësi i denoncimit për punët që shkojnë keq si brenda ministrisë si ashtu jashtë saj, tek kontraktoret tanë të cilët mund t’i shpërfillin kërkesat e projekteve”.
“Unë punojë me inspektoratin shumë, asistoj ministrin me çështjet protokollare të ministrit, komunikoj me të gjitha departamentet përpiqem të jap më të mirën e mundshme jam i fokusuar kryesisht në marrëdhëniet ndër njerëzore. Në raste të caktuara bëhem një këshilltar shumë transparent tek ministri për atë që shohë dhe ndjej në ministri”, ka potencuar Selimaj.
Një ditë e zakonshme e një zv/ministrit
Orari për një zv/ministër të Kosovës fillon në ora 8 të mëngjesit. Rexhep Kadriu një tjetër zv/ministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këtë ministri tregon për ditën e tij të zakonshme si zv/ministër.
Ai thotë se ditën e fillon me ministrin, Pal Lekaj duke diskutuar për ngjarjet e ditës si dhe për punën që është bërë ditën e kaluar.
“Një ditë e zakonshme për mua është zgjohem në ora 7, mbërrij në punë në ora 8, filloj punën me takimin e mëngjesit me ministrin Pal Lekaj, për aktivitete ditore dhe për ngjarjet e një dite më parë se sa kemi mundur me i mbuluar ato të ma hershme”, thotë Kadriu.
Ish-kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit thotë se detyrat ditore të tij janë mbikëqyrja e projekteve në teren si dhe takimet me përfaqësuesit e komunave dhe me qytetarët.
“Aktivitet e mija janë mbikëqyrja e projekteve të mija në terren, takimet me qytetarë si dhe me përfaqësues të komunave të cilat dëshirojnë takime dhe të informohen për projektet e tyre të infrastrukturës sepse të gjitha kalojnë nga unë dhe në dorë time dhe me vendime politike është ministri Pal Lekaj”, ka deklaruar Kadriu.
Në këtë ministri potencohet se janë ndarë punët për zv/ministrat të cilët merren me dikasteret në bazë të profesionit. Kadriu thotë se për shkak të shkollimit ai është i përcaktuar në dikasterin e infrastrukturës dhe në disa të tjera.
“Angazhimi është ditorë ashtu si i gjithë zv/ministrave për shkak të volumit të punës që janë nën dikasterin e ministrisë së Infrastrukturës përfshirë; patentë shoferët, aeroportin, hekurudhat infrastrukturën rrugore, kështu që ministri për të gjithë zv/ministrat i ka nda në dikastere, shembull unë jam në dikasterin e infrastrukturës dhe e udhëheqi komplet infrastrukturën rrugore se bashku më këshilltarin Osmanaj. Ndihmoj edhe në tema tjera të dikastere të tjera kur më kërkohet ndihma dhe asistenca”, deklaron Kadriu.
Zëvendësministri tjetër në MI që vije nga PDK, Fehmi Mujota ka qenë i paqasshëm për Insajderin i cili është provuar t’i merret një sqarim për punën që e bënë, por ai nuk ka hapur asnjëherë telefonin dhe nuk është përgjigjur në mesazhet e dërguara.
Në anën tjetër zv/ministri Selimaj ka treguar ditën e tij të zakonshme, të cilit çdo ditë i vije një urdhër nga ministri Lekaj, por që urdhrin ia përcjell ndonjë nga asistentet e ministrit.
“Dita e zakonshme sapo të shkoj në ora 8 puna e parë që e bëj është shfletimi i emalit që na kanë dërguar neve, e dyta agjendën e ministrit, e treta çdo ditë vjen një nga asistentet e ministrit dhe na tregojnë për angazhimin që ka dhënë ministri ndaj neve. Çdo ditë jepet ndonjë porosi obligative që duhet të realizohet. Përveç kësaj kemi takime me të gjitha komunat”, thotë ai.
Selimaj thotë se ai është i angazhuar edhe në problemet pronësore juridike, të cilat sipas tij kanë mbetur që nga viti 2011.
“Unë si zv/ministër jam i angazhuar në disa projekte të tjera të ngelura prapa për shkak të problemeve pronësore juridike, respektivisht shpronësimeve. Janë diku 24 projekte që kanë ngelur që nga vitet 2011 prej tyre i kemi riaktualizu dhe po përpiqemi të paktën gjysmën me i përfunduar”, thotë ai.
Zv/ministri thotë se ka një “mal me punë” me kyçjen apo uzurpimin nga qytetarët, të cilët kanë ndërtuar prona në pjesë të rrugëve në Kosovë.
“Po ashtu një detyrë tjetër që e kam është se jam shef i task-forcave për menaxhimin respektivisht identifikimin e të gjitha kyçjeve në pronën tonë në brezat rrugore në gjithë Kosovën e që është një mal punësh që duhet të ketë vullnet për punë dhe për angazhim”.
“Disa prej tyre me vetëdije disa pavetëdije për arsyeje se ne [Ministria e Infrastrukturës] nuk e kemi bërë punën tonë, pra vendosjen e kufijve shtetëror, me thanë e kanë cenuar apo e kanë uzurpuar pa vetëdije token shtetërore. Por me disa e kemi pa se janë befasuar kur i kemi informuar se objekti i tyre ka cenuar brezin rrugorë të shtetit. Pra punë jo vetëm për tre zëvendësministra, por edhe më shumë”, ka thënë Seliman duke sqaruar punën që ai bën si zv/ministër.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj në ekipin e tij të zv/ministrave ka emëruar dy anëtarë të AAK-së dhe një të PDK-së, Fehmi Mujotën i cili ka qenë i paqasshëm.