Pas 20 vjetësh, LDK-ja ia dorëzoi LVV-së, bastionin më të madh të saj, atë në Llap. Kjo komunë, e cila quhej “kala” e pathyer e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ra me të parën, pa balotazh, shkruan Llapi.info.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të enjten rezultatet përfundimtare për kryetar të Komunës së Podujevës. Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje doli i pari në zgjedhjet e 29 nëntorit.

Bulliqi mori 18 mijë e 286 vota, apo 51.9 për qind. Në anën tjetër, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari mori 12 mijë e 627 vota, apo 35.8 për qind. Ndërsa, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Fetahu mori vetëm 4 mijë e 341 apo 12.3 për qind të gjitha votave.

Sipas rezultateve finale nëpër fshatra, të siguruar nga Llapi.info, VV doli fituese në shumicën dërrmuese të tyre, ku LDK printe vazhdimisht, madje edhe bindshëm. Gllmaniku, Batllava, Lluzhani e Letanci, ishin disa prej tyre që “vulosen” fitoren e VV-së.

VV doli fituese edhe në qendra e mëdha të qytetit. Në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” kanë votuar 1.465 qytetarë. Prej tyre, 831 kanë votuar për Lëvizjen Vetëvendosje, 470 për LDK-në dhe 164 për PDK-në.

Ndërkaq, në vendvotimin më të madh në Podujevë, në shkollën ekonomike “Isa Boletini”, kanë votuar 4.501 qytetarë. Në këtë qendër, VV ka marr 2.526 vota, LDK 1.519 dhe PDK 456.

Ndryshe, Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021. I njëjti nesër pritet të japë betimin si kryetar i kësaj komune, në një seancë solemne me fillim nga ora 10:00./Llapi.info

Më poshtë, Llapi.info sjellë të gjitha votat nëpër fshatra dhe vendvotime tjera.