Projekti për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë pritet të realizohet së shpejti. Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, përcjellë Llapi.info.
Veliu ka pritur sot në një takim delegacionin nga Ministria e Infrastrukturës dhe të kompanisë “Delta Infra”, e cila ka hartuar projektin për zgjerimin e magjistrales Podujevë – Prishtinë.
Kryetari Veliu u shpreh i kënaqur që po fillon realizimi i këtij projekti me rëndësi të madhe për qytetarët llapjanë.
“Ky projekt, i cili do të fillojë të realizohet së shpejti, është më rëndësi të veçantë për qytetarët e rajonit të Llapit. Zgjerimi i rrugës do të mundësojë qarkullim më të lehtë dhe më të shpejtë të qytetarëve tanë në këtë rrugë që është mjaft e frekuentuar. Realizimi i këtij projekti ka qenë kërkesë dhe nevojë e kamotshme e Komunës së Podujevës, ndërsa për fillimin e realizimit të këtij projekti falënderojmë Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Infrastrukturës”, tha Veliu.
Ndërsa, Mustafë Krasniqi, këshilltar politik i Ministrit të Infrastrukturës, tha se ministria ka bashkëpunuar me kompaninë e kontraktuar për hartimin e projektit, në mënyrë që projekti të përshtatet me pozitën e rrugës dhe lidhjen me rrugët dytësore.
Krasniqi tha se vëmendje të theksuar në bashkëpunim me kompaninë kontraktuese i është kushtuar vendosjes së nënkalimeve, mbikalimeve dhe rreth-rrotullimeve.
“Të gjitha këto janë bërë duke pas parasysh ngarkesën që ka kjo rrugë dhe për faktin që ka vendbanime nga të dyja anët e rrugës”, tha Krasniqi.
Rekomandimet, të cilat dolën nga takimi i sotëm, do të futen në projektin e hartuar.
Finalizimi projektit në tërësi i hap rrugë procedurave tjera, ndërsa realizimi i këtij projekti pritet të fillojë menjëherë pas përfundimit të procedurave tenderuese./Llapi.info