Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar udhëzimin që për zhdoganimin e automjeteve.
Në të përcaktohen hapat që duhen ndjekur:
Për kryerjen e zhdoganimit të automjeteve çdo individ duhet të regjistrojë më parë ID Personale në sistemin “Asycuda World”.
Për regjistrimin e ID Personale duhet : të dërgohet në adresën e email-it: [email protected] një kopje e skanuar e Kartës së Identitetit nga ora 08.00 – 16.00 të dërgohet në adresën e email-it: [email protected] një kopje e skanuar e Kartës së Identitetit nga ora 16.00 – 22.00
Informacion mbi Lejimin e Përkohshëm të automjeteve me targa të huaja.
Kush përfiton nga Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?
Vizitorët jo-rezidentë që vizitojnë Shqipërinë me automjetet e tyre për periudha të shkurtra kohe dhe që dalin përsëri jashtë Shqipërisë me automjetet e tyre;
Studentët, mjekët dhe shkencëtarët që vizitojnë apo punojnë në Shqipëri për periudha kohe të caktuara;
Individët që janë rezidentë jashtë Shqipërisë dhe që kanë vendin e punës në Republikën e Shqipërisë;
Cilat janë kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?
Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;
Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;
Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;
Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes. Personi që e ka sjellë automjetin në vend, nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;
Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare;
KUJDES!
Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë NUK deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet si “kontrabandë me automjete”;
Shkelja e afatit kohor të përdorimit të automjetit të sipërcituar si dhe kushteve të tjera konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;
Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara;
Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;
Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet është nga 50,000 në 200,000 Lek;
Procedura e zhdoganimit të automjeteve të përfshira në kreun 8703 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave (autovetura dhe mjete të tjera transporti me motor kryesisht të projektuar për transportin e deri në 9 personave) është e njëjtë si edhe për mallrat e tjera.
Detyrimet doganore për këto mjete përbëhen vetëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili aplikohet mbi vlerën doganore të këtyre mjeteve që importohen. Vlera doganore përbëhet nga vlera e blerjes së mjetit, si dhe rregullimet e mundshme kur është e nevojshme.
Në rast se mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme nuk e mund të përcaktohet vlera doganore atëherë veprohet në bazë të mënyrave të tjera të vlerësimit doganor. Metoda që ka gjetur zbatim më të gjerë, në të tilla raste, është ajo e “Dosjes së të Dhënave të Disponueshme”.