Pronarë të bizneseve të ndryshme të Podujevës kanë protestuar sot pranë pikës kufitare në Merdar, pas zhvendosjes së terminalit doganor, shkruan Llapi.info.
Ata kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me këtë vendim të Doganës së Kosovës, derisa kanë shtuar se tani doganimin e mallrave duhet ta bëjnë në Prishtinë.
Pronarët e bizneseve kanë deklaruar se mbyllja e këtij terminali doganor do t’u kushtojë atyre.
Sipas tyre, bllokimi i këtij terminali do të duhej të bëhej vetëm atëherë kur do t’i bëhej zgjidhje të menjëhershme – pasi që siç kanë thënë ata, në Podujevë nuk ka terminal shtetëror.
Pronarët e bizneseve kanë thënë se protestat e tyre do të vazhdojnë, nëse organet shtetërore, përshirë Doganën e Kosovës, nuk marrin masa.
Terminali doganor në Merdar, pikë kufitare kjo që gjendet në Podujevë, nuk do të jetë funksional nga 18 qershori.
Kështu ka vendosur Dogana e Kosovës. Në njoftimin e lëshuar nga kjo doganë, thuhet se personeli zyrtar do të tërhiqet nga kjo pikë nga dita e shtunë.
“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në terminalin e operuar nga “Diana” SHPK., në Merdar pushojnë nga data 18.062022, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyre doganore në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin si dhe ndal operimin zyrtar”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili tha se do t’i drejtohet nivelit qendror.
Në anë tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Haziri, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës është që t’i kthehen në pronësi shtetit të gjitha terminalet.
“Më 17.06.2022 Terminalit Doganor “Diana” sh.p.k do t’i përfundojë licenca. Vendimi i Qeverisë është që të gjitha Terminalet Doganore t’i kthehen në pronësi shtetit duke ditur se si u janë dhënë grupeve të interesit në të kaluarën. Është krijuar komisioni ndërqeveritar dhe është caktuar lokacioni për ndërtimin e Terminalit të Ri në Komunën e Podujevës. Lokacioni i identifikuar në Podujevë është në hapësirën e Parkut Industrial. Kostoja e qirasë e cila i është ofruar shtetin nga Terminali privat është e lartë në shifër prej 30 mijë euro në muaj dhe brenda viti kjo kosto do të shkonte në 360 mijë euro. Qëllimi është ndërtimi i një terminali të ri dhe të evitohet pagesa e qirasë. Një gjë është e sigurt; Podujeva nuk do të mbetet pa terminal”, ka shkruar ai në një reagim në Facebook.
Mbylljen e këtij terminali e kanë kundërshtuar fuqishëm partitë opozitare të Podujevës, duke përfshirë këtu edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Protesta është mbajtur nën përcjellën e dhjetëra policëve./Llapi.info