Gjatë ditë së sotme në Kosovë janë paraqitur vatra të shumta zjarri.
Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqinaj ka thënë se gjatë ditës kanë qenë aktive deri në 50 vatra zjarri por që sipas tij deri në orën 16:00 numri i vatrave aktive të zjarrit ishte reduktuar në 10.
Njesitet e zjarrfikësve, FSK-së, helikopterë të KFOR-it dhe aktivistë vullnetarë janë mobilizuar për të lokalizuar apo shuar tërësisht zjarret e shumta në Kosovë.
Duke parë këtë situatë dhe resurset e limituara shtetërore në terren janë angazhuar edhe njësitet e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës me kapacitetet e saj në dispozicion po angazhohet me përkushtim në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar asistencë me pajisje policore si topat e ujit si dhe duke koordinuar aktivitetet me agjencionet tjera në të gjitha rajonet ku janë raportuar vatra zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë, tha ai, përcjell Telegrafi.
Policia e Kosovës thotë se po ashtu është angazhuar në mënyrë intensive në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre, do të përballen me organet e drejtësisë.