Greqia po përballet me një valë zjarresh që kanë shpërthyer gjatë të dielës në zona të ndryshme të vendit.
Situata është më e rënduar në rajonet rreth kryeqytetit Athinë, ku tre zjarre që shpërthyen në mesditë dhe pasdite vonë, kanë marrë dimensione dramatike për shkak të erërave të fuqishme që po vazhdojnë të fryjnë.
Retë e tymit nga zjarri në Kineta, 40 km në perëndim të Athinës, shikoheshin qartazi nga qendra e kryeqytetit. Zjarri filloi në një pyll me pisha dhe u përhap me shpejtësi.
Dhjetëra shtëpi raportohet se janë djegur plotësisht ose dëmtuar, ndërsa tre vendbanime u evakuuan, përcjell oranews.tv.
Në rrugën nacionale Athinë – Korinth është ndaluar qarkullimi i automjeteve në të dy korsitë, nga kilometri i 39-të deri te i 57-i.
Në zonë veprojnë që nga mesdita 110 zjarrfikës me 47 automjete, 40 efektiva të këmbësorisë, si dhe 5 avionë dhe 5 helikopterë zjarrfikës.
Një tjetër zjarr i fuqishëm ka përfshirë dy zona në verilindje të Athinës.
Rreth orës 21 të mbrëmjes u raportua se gjuhët e flakëve po i afroheshin qytetit Rafina.
Kryetari i bashkisë së qytetit, tha se në zonat përreth janë shkatërruar shumë shtëpi, ndërsa nuk përjashtoi që nga zjarri të ketë dhe viktima.
Të paktën tre persona janë dërguar në spital me djegie të rënda.
Nga kampet e shumta të pushimit që ndodhen në rajon, u evakuuan dhjetra fëmijë, si një masë parapake.
Edhe në këtë vatër zjarri operojnë forca të shumta zjarrfikëse si dhe 3 avionë e dy helikoptera. Por gjithashtu operacionet po zhvillohen me shumë bështirësi për shkak të errërave të forta.
Krahas zjarrifkësve edhe banorët në të gjitha zonat e prekura po luftojnë me të gjitha mjetet që të shpëtojnë pasuritë e tyre.
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, po kthehet me urgjencë nga një vizitë që po kryente në Mostar të Bosnjes.
Më herët, Tsipras deklaroi se gjithë forcat ajrore dhe tokësore po luftojnë kundër zjarreve në të gjithë vendin.
“Dua të besoj që me gjithë kushtet e vështira të motit do të mundim të bëjmë gjithçka që zjarret të vihen në kontroll”, shtoi kryeministri grek.
Në të njëjtën kohë, Tsipras vërejti se “më shqetëson fakti që kishim paralelisht tre vatra zjarri”.