Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq ka thënë se Lista Serbe nuk do ta përkrah asnjë tentimi të Qeverisë së Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Ai ka thënë se ky qëndrim i Listës Serbe tashmë është i ditur kohë më parë.
“Lista Serbe nuk do të përkrahë formimin e ushtrisë së Kosovës. Ky është qëndrimi që e kemi dhënë kaherë”, ka thënë Jevtiq para gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Ranillug, raporton “Srna”
Ai ka përsëritur se Lista Serbe dhe përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë që të luhet me marrëveshjen e Brukselit dhe dispozitat e saj të sakta mbi detyrimin e Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave serbe.
“Asociacioni i komunave serbe duhet të formohet krejtësisht në pajtim me dispozitat e marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Jevtiq, që njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj dhe ministër për Kthim dhe Komunitete, transmeton Koha.net.