Zëvendësministrat e qeverisë Haradinaj pritej që në muajin prill të raportonin te kryeministri për punët e kryera gjatë periudhës që ata ishin në detyrë.
Mirëpo një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur, shkruan lajmi.net.
Pas bujës së madhe të shkaktuar për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave të qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar që në muajin prill të raportohej te ai për punët dhe angazhimet që i’u kishin caktuar zëvendësministrave, dhe sa i kishin përmbushur këta të fundit obligimet e tyre.
E nga qeveria e Kosovës po thuhet që shumica e zëvendësministrave e kanë dorëzuar raportin e tyre të punës për 200 ditë në qeverisje, dhe se shumë shpejt pritet që të caktohet edhe takimi raportues me ta.
“Pjesa më e madhe e zëvendësministrave e kanë dorëzuar raportin e tyre të punës për 200 ditë në qeverisje. Në koordinim me agjenden e Kryeministrit do të caktohet edhe takimi raportues me zëvendësministrat dhe për këtë do të informohen me kohë mediat”, thuhet në përgjigjen e qeverisë së Kosovës për lajmi.net.
Ndryshe, më herët disa nga zëvendësministrat e qeverisë Haradinaj, kishin deklaruar për lajmi.net se ata po kryejnë punët e ngarkuara, mirëpo se një gjë e tillë varet edhe nga detyrat që u caktohen nga ministrat e tyre.