Komuna e Podujevës assesi nuk po mund të bëhet me qendër kulturore. Edhe pse për këtë projekt çdo vit ndahen mjete, ato gjatë vitit sërish ridestinohen për projekte të tjera jashtë Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Zyrtarët opozitarë thonë se ky projekt nuk do të konkretizohet kurrë, pasi, sipas tyre, udhëheqja komunale nuk është e interesuar për ndërtimin e kësaj qendre.

“Duke iu referuar Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2016-2018, vërehet qartë se qeverisja lokale fushën e kulturës dhe zhvillimit ekonomik i ka lanë anash si kategori të dorës së tretë. Ky dokument më së paku ngjan me një strategji të mirëfilltë”, ka thënë këshilltari i PDK-së, Flakron Gashi.

“Ta marrim shembull për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport parashikohet fondi për projekte prioritare në vlerë prej 90.000 eurosh, siç ceket aty, për ndërtimin e një qendre të kulturës, ku fatkeqësisht e njëjta dhe i njëjti projekt prioritar ceket në KAB për tre vitet e ardhshme dhe kjo tregon se kjo çështje është e determinuar për të mos ndodhur kurrë”.

Këshilltari i PDK-së thotë se kjo shumë, siç e ka quajtur ai, simbolike, për këto tri kategori, kulturë, rini dhe sport është në proporcion me një 1 euro për kokë banori, shkruan Koha Ditore.