Telashet me uzurpime të pronës publike, me projektin zbatues e kushte atmosferike kanë vonuar përfundimin e zgjerimit të katër kilometrave të parë të rrugës nacionale N25 Podujevë-Prishtinë.

Punimet në këtë rrugë me një gjatësi prej 4.23 km, që ka filluar të zgjerohet më 14 shtator 2016, ka kohë që janë ndalur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, në kohën e të cilit kishte filluar zgjerimi kishte thënë për media se punimet pritet të përfundojnë gjatë vitit 2017. Por kjo nuk ka ndodhur.

“Arsyet për zgjatjen e afatit kanë qenë të ndryshme, sepse në fillim të punimeve kemi pasur pengesa pronësore, uzurpime të pronave publike, ka pasur probleme me projektin zbatues dhe kushtet atmosferike-sezoni i dimrit. Zgjidhja e këtyre problemeve ka marrë kohë për shkak se është dashur të formohen komisionet e ekspertëve brenda Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët edhe janë marrë me këto probleme dhe kanë dhënë rekomandimet e tyre”, thuhet në përgjigjen e Divizionit për Komunikim Publik në Ministrinë e Infrastrukturës.