Në përpjekjet për luftim sa më efektiv të terrorizmit dhe të kriminalitetit, autoritetet federale të Zvicrës po planifikojnë shtimin e mjeteve për ta realizuar këtë. Kështu Zyra Federale për Polici (Fedpol) ka njoftuar se do të krijojë njësitin e quajtur “Passenger Information Unit”, njoftojnë mediet zvicerane.
Ky njësit do të bëjë hulumtimin e të dhënave të pasagjerëve që hyjnë në Zvicër përmes rrugës ajrore dhe me atë rast do të zhvillojë hetime ndaj peersonave të dyshuar.
Formacioni do t`i ketë 15 deri 30 punonjës, transmeton albinfo.ch. Ai do të përbëhet nga nëpunës të kantoneve dhe nga ata të Rojave Kufitare.
Për të rrumbullakësuar këtë plan, Fedpol pritet t`ia shtrojë një kërkesë përkatëse Këshillit Federal.
Zvicra kështu synon që të veprojë ngashëm me SHBA-në, Kanadanë dhe vendet e BE-së, të cilat grumbullojnë dhe verifikojnë të dhënat e pasagjerëve për qëllime sigurie.
Këtë e ka konfirmuar sot në emisionin “Samstagrundschau” të radios SRF, Nicoletta della Valle, drejtore e Zyrës Federale për Policinë, transmeton albinfo.ch. Sipas saj, rreth 50 milionë të dhëna ose informacione rreth pasagjerëve të transportit ajror qarkullojnë brenda vitit në Zvicër.
Duke filluar nga fundi i majit, Zvicra do t`ia dorëzojë BE-së të gjitha informacionet lidhur me të gjitha fluturimet që shkojnë përmes Zvicrës. Po këtë ajo është duke e bërë tashmë prej kohësh me SHBA-ë dhe Kanadanë.