Është emëruar edhe zyrtarisht kabineti i ri qeveritar në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Emërimi i tyre është bërë sot në një konferencë të thirrur nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Me këtë rast, Bulliqi ka thënë se të gjithë të emëruar në krye të drejtorëve, sipas tij, janë profesionalë.

Bulliqi ka thënë se si drejtor të Drejtorisë së Administratës ka emëruar Bahri Selimin, i cili me profesion është jurist.

Deri më tani, Selimi ka qenë sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, Selimi ka qenë kohë më parë edhe këshilltar komunal nga po ky subjekt politik.

Në një konferencë për medie, i pari i Podujevës, duke prezantuar drejtorët, ka thënë se nën qeverisjen e tij do të ketë transparencë e llogaridhënie.

“Synimi ynë është të kthejmë besimin e qytetarëve në institucione. Do të qeverisim me dije, guxim dhe pa arrogancë. Do të bashkëpunojmë me partitë opozitare. Do të jemi afër atyre që kanë më së shumti nevojë. Do të qeverisim pa e diskriminuar askënd. Në ekzekutivin tim kam kuadrin e ri e profesionale. Ashtu siç jam zotuar në fushatën zgjedhore që gratë dhe të rinjtë do të kenë hapësirën e nevojshme për të dëshmuar vetën në ekzekutiv, ashtu edhe kam vepruar”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info