Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen me 9 shkurt 2025, ka njoftuar Presidentja Vjosa Osmani.

Me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës.

Osmani i filloi në fund të muajit të kaluar konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Pas atij takimi më 31 korrik – në të cilin nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e as ata të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe – Osmani kishte thënë se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.