Llapi edhe zyrtarisht e ka nisur afatin dimëror të transferimeve, duke nënshkruar kontratë 1-vjeçare me mesfushorin Egzon Krasniqi, njofton Llapi.info.
Krasniqi dy sezonet e fundit i ka kaluar te ekipi i Flamurtarit, ndërsa tani do t’i mbrojë ngjyrat e llapjanëve. Ai ka nënshkruar në ambientet e klubit, ndërsa është prezantuar nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Krasniqi po konsiderohet si ndihmesë e madhe për ekipin nga Podujeva.
“Egzon Krasniqi nga sot edhe zyrtarisht është pjesë e KF Llapit. Mesfushori i krahut të djathtë dhe që mund të luaj edhe në krahun e majtë, këmbëshpejtë, pasi shkëputi kontratën me ekipin e tij, Flamurtarin, kishte oferta tjera, por vendosi për Llapin, sepse vetë futbollisti potencoi se oferta e Llapit nuk mund të refuzohet. Gjatë dy edicioneve paraprake, ai ishte ndër futbollistët kryesor të ekipit të Flamurtarit, ndërsa tashmë në Llap, veç se është njoftuar me projektin dhe do jetë ndihmesë e madhe e klubit bardhekaltër në edicionin pranveror”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kujtojmë, Llapi stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e shtatë në tabelë, duke grumbulluar 24 pikë./Llapi.info