Shpejtim Bulliqi nga VV do të garojë për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme, raporton Llapi.info.
Bulliqi ka marrë përkrahje nga anëtarët e VV-së në këtë degë në zgjedhjet e brendshme të partisë. Lajmin e ka konfirmuar LVV në Podujevë përmes një njoftimi.
“Me 95.76% antarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sot ka votuar pro kandidaturës së profesorit Shpejtim Bulliqi. Shpejtim Bulliqi, është lindur në shtator të vitit 1968, në fshatin Llugë, Besianë. Ka përfunduar studimet themelore, ato të magjistraturës dhe doktoratës në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës. Në zgjedhjet e 6 tetorit, është rizgjedhur për herë të dytë deputet në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Deri më tani, përveç VV-së, gjatë ditës së djeshme LDK-ja ka propozuar Nexhmi Rudarin, kandidat të kësaj partie për kreun e Komunës së Podujevës.
Më 15 mars 2020, banorët me të drejtë vote të Komunës së Podujevës do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri. Këto zgjedhje vijnë pas emërimit të Agim Veliut, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë e re./Llapi.info