Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Azemi, ka thënë se ka pritur që Qeveria Kurti të demaskohet, por jo kaq shpejt.

“Zakonisht pritet të kalojnë 100 ditët e para të qeverisë në mënyrë që të bëhet një vlerësim për punën e saj. Për dallim nga qeveritë e kaluara, kësaj të drejtuar nga kryeministri Kurti iu deshën pak ditë për ta demaskuar veten”, ka shkruar ai.

Azemi përmes një postimi në Facebook shtoi se përkrahësit e Vetëvendosjes nuk kanë nevojë për me i nxjerrë damarët në qafë për ta mbrojtur Kurtin.

“Nuk bëjmë përpjekje për ta shfajësuar asnjë qeveri e kryeministër deri sot, d.m.th zyrtarët dhe përkrahësit e Vetëvendosjes nuk kanë nevojë për me i nxjerrë damarët në qafë për ta mbrojtur Kurtin, por duam që t’iu themi se rruga nëpër të cilën ka ardhur deri këtu kryeministri Kurti, ka qenë mashtrim, gënjeshtër, shfrytëzim i fukarallëkut, dhe këtë jo vetëm që ne e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi, por tanimë e kanë dëshmuar edhe vet ata, jo thjeshtë një herë”, shkroi Azemi.

Ai më tej tha se nuk mban mend që të ketë kaluar një ditë që Vetëvendosje nuk ka kërkuar shkarkimin e krejt atyre zyrtarëve që kanë problem me Ligjin.

“Nuk mbaj mend që të ketë kaluar një ditë që Vetëvendosje nuk ka kërkuar shkarkimin e krejt atyre zyrtarëve që kanë problem me Ligjin, madje tu protestuar e dhënë epitete nga më të ndryshmet. Sot, kryeministri Kurti emëron ministër i cili ka aktakuzë (anipse unë fuqishëm besoj në pafajësinë e ministrit Liburn Aliu), dhe nuk pranon fare të merret me këtë çështje. Emëron zëvendësministër njerëz që është dëshmuar se kanë keqpërdorur paranë publike”, tha ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

E kam pritë që demaskohen vet, por jo aq shpejt

Zakonisht pritet të kalojnë 100 ditët e para të qeverisë në mënyrë që të bëhet një vlerësim për punën e saj. Për dallim nga qeveritë e kaluara, kësaj të drejtuar nga kryeministri Kurti iu deshën pak ditë për ta demaskuar veten.

Nuk bëjmë përpjekje për ta shfajësuar asnjë qeveri e kryeministër deri sot, d.m.th zyrtarët dhe përkrahësit e Vetëvendosjes nuk kanë nevojë për me i nxjerrë damarët në qafë për ta mbrojtur Kurtin, por duam që t’iu themi se rruga nëpër të cilën ka ardhur deri këtu kryeministri Kurti, ka qenë mashtrim, gënjeshtër, shfrytëzim i fukarallëkut, dhe këtë jo vetëm që ne e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi, por tanimë e kanë dëshmuar edhe vet ata, jo thjeshtë një herë.

Në 20 vitet e lirisë së vendit tonë, Kosovës sonë, nuk kam parë deklaratë më skandaloze se e shefes së diplomacisë së shtetit tonë e cila thotë; marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të mos e cenojë kushtetutshmërinë e asnjërës palë. Pra, Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë në Kushtetutën e saj, dhe me të drejtë pyesim; a nuk është qëllimi ynë me e cenua atë Kushtetutë e cila e mbanë peng Kosovën?

Nuk mbaj mend që të ketë kaluar një ditë që Vetëvendosje nuk ka kërkuar shkarkimin e krejt atyre zyrtarëve që kanë problem me Ligjin, madje tu protestuar e dhënë epitete nga më të ndryshmet. Sot, kryeministri Kurti emëron ministër i cili ka aktakuzë (anipse unë fuqishëm besoj në pafajësinë e ministrit Liburn Aliu), dhe nuk pranon fare të merret me këtë çështje. Emëron zëvendësministër njerëz që është dëshmuar se kanë keqpërdorur paranë publike.

Patën thënë se familja është për dasma e jo për t’i punësuar nëpër institucione. Tani pikërisht ndodh kjo; punësohen axhallarë në institucione të shtetit. Kanë akuzuar për mbledhje në orët e vona të natës në Kuvendin e Republikës, të njëjtën gjë e bënë.
Kanë akuzuar për kontrabandim të deputetëve, e bënë edhe më keq. Akuzuan për vjedhje të mandateve, saktësisht të njëjtën e bënë, ndoshta edhe më keq sepse u zunë me presh në dorë.

Nëse qeveritë e kaluara kanë punësuar të afërm, atë e kanë bërë pas gjysmës ose kah fundi i mandatit, ndërsa tani kjo qeveri po nxiton sepse qëllimi nuk është për ta përmirësuar jetën e qytetarit por për të kapë gjithçka në emër të ç’kapjes, dhe për të gjetur një formulë sa më bindëse për të shkuar në zgjedhje, sa më shpejtë që është e mundur. Këta nuk janë për qeverisje, sepse më së miri e kuptojnë formulën për të prodhuar kriza, ngase janë dëshmuar me kohë se e bëjnë më së miri këtë.