Lutfi Muçolli, kandidat i LDK-së për Kuvendin Komunal të Podujevës si dhe këshilltar komunal në këtë komunë gjatë periudhës 2009 – 2013, është njëri nga ‘të fortit’ i cili është në listën e uzurpatorëve të banesave në lagjen ‘Dardania në Prishtinë’. Disa dokumente që ka Periskopi, sjellin veprimtarinë e Muçollit në kuadër të LDK-së.
Policia po ekzekutonte një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që obligonte largimin e banuesve nga ndërtesat me datë 19 shtator 2016. Kur policia po kryente aksionin e largimit, ajo kishte hasur në rezistencë. Banorët shpreheshin se ‘nuk kishin ku të shkonin’, megjithëse për këtë vendim, ishin në dijeni që prej disa vitesh.
Që në vitin 2005, në kohën kur Prishtina qeverisej nga LDK- ja, ndërmarrja banesore ‘NPB’, kishte paditur palët për të kërkuar lirimin e banesave. Në vitin 2012, vendimi i Gjykatës kishte qenë në favor të NPB-së, pasiqë konstatohej se banesat ishin të uzurpuara.
Ndërkohë, në ditën kur policia e Kosovës, po largonte uzurpatorët nga këto ndërtesa, doli edhe lista me emrat që kanë qenë në to që prej pasluftës. Në listë është edhe emri i Lutfi Muçollit.
Lutfi Muçolli, aktualisht është kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Bajqinë të Podujevës.
Ai ka qenë këshilltar komunal në Kuvendin e Podujevës në kuadër të LDK-së, në mandatin qeverisës lokal 2009 – 2013.
Ka qenë kandidat për këshilltar komunal në zgjedhjet e vitit 2013.
Ai shihet në disa aktivitete të LDK-së, afër kryetarit të Podujevës, Agim Veliut dhe deputetit të LDK-së Shpëjtim Bulliqi.
Lutfi Muçolli është edhe përfitues i disa vendimeve të Kuvendit Komunal të Podujevës, siç është rasti me kthimin e pronës së tij nga toka bujqësore në tokë ndërtimore. Vendimi i Kuvendit Komunal të Podujevës, i datës 30 mars 2016, e renditë Lutfi Muqollin si një nga emrat përfitues të tokës bujqësore në tokë ndërtimore.
Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionn, në vitin 2013, Muçolli ka deklaruar pasuri në vlerë prej 215 mijë eurosh.
Ja vlera e pasurisë së deklaruar nga Muçolli:
Tokë 120 mijë euro
Furra e bukës – 20 mijë euro
Shtëpi – 25 mijë euro
Mulliri elektrik – 50 mijë euro
Totali: 215 mijë euro
Se në mesin e familjeve që ligji i detyroi të largohen nga banesat e uzurpuara, mund të ketë edhe familje me kushte të vështira ekonomike, nuk e pati mohuar as kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.
Mirëpo, ai kishte thënë se ‘uzurpimi është uzurpim’, pa marrë parasysh nga kush është kryer. Në një reagim të tij, Ahmeti kishte thënë se në mesin e familjeve, gjithashtu kishte edhe ‘të fortë’ që kishin uzurpuar këto banesa.
“Se si janë zaptu banesat sigurisht se do të kuptohet me kohë. Ka pas njerëz me shtëpi të djegura, ka pasur “të fortë” që kanë zaptu për veti e kanë nda tjerëve me para e qera etj. Por, sikurse edhe më shumë banesa tjera të zaptuara, pas një kohe gjyqet janë marr me rastet”, shkruante Ahmeti në një reagim.
Përkundër kësaj deklarate dhe një kronologjie të gjithë ngjarjes që e jep kryetari i Prishtinës lidhur me këtë problem, ai u përball me akuza të vazhdueshme, gjoja se çështja duhej trajtuar pak edhe në rrafshin human.
Por, kur kërkohej kjo, nuk merreshin parasysh ligjet e njëjta me të cilat janë larguar edhe uzurpues të tjerë nga objekte të ndryshme, siç është Ligji për Procedurën Përmbarimore, me të cilin edhe është vepruar në këtë rast
Lidhur me mënyrën e largimit të banorëve, kishte edhe një përplasje verbale mes Këshillit për Mbrojtjen e Të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Policisë së Kosovës, për mënyrën se si janë trajtuar banorët, megjithëse Policia po ekzekutonte një vendim të Gjykatës.
Rasti i Lutfi Muçollit, një aktivist dhe kuadër i LDK-së në nivelin lokal të Podujevës si dhe pronar biznesesh, i cili figuron në listën e uzurpatorëve të banesave, ndoshta nuk mund të dallojë nga rasti i uzurpatorëve të tjerë, si për shembull Bedri Selmani ose qindra uzurpatorëve tjerë gjithandej nëpër Kosovë. /Periskopi/