Këshilltarja lokale e BE-së, Kati Schneeberger, ka folur për peticionin, të cilin ajo e ka nisur për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një intervistë për Klan Kosovën, ajo ka deklaruar se pas kontaktit që pati me kosovarë, e ka shtyrë atë që ta fillojë këtë nismë, por edhe përvoja e saj personale për mungesën e lirisë së udhëtimit.
“E vizitova Kosovën për herë të parë, javën e kaluar, për të takuar partnerët pro-evropianë të OJQ-së sime. Të enjten e vizitova panairin e tregtisë ‘Expokos”’, ku takova shumë miq nga Austria dhe nga shoqëria kosovare gjatë vizitës sime në Prishtinë dhe Mitrovicë të premten. Dhe gati se të gjithë afaristët, taksistët, kamerierët në restorante e politikanët më pyetën për liberalizimin e vizave dhe lirinë për të udhëtuar”.
“Unë kam lindur në Gjermaninë Lindore dhe e di se si është të jetohet pa lirinë e udhëtimit. Dhe ndryshe nga shumë politikanë në Evropën Perëndimore unë e kuptoj këtë dhimbje të qytetarëve të Kosovës, kështu që vendosa të filloj këtë fushatë për liberalizimin e vizave gjatë vizitës sime në Kosovë”.
Schneeberger ka thënë se peticionin për Kosovën do ta prezantojë në shumë vende të Bashkimit Evropian.
“Unë e fillova peticionin në bashkëpunim me OJQ-në time. Do ta prezantoj nga Vjena gjithandej nëpër Evropë. Bëhet fjalë për OJQ-në që është në Vjenë, dhe qëllimi ynë është të rritet vetëdija e Evropës dhe Bashkimit Evropian, si edhe të vendit tonë që dëshiron të përkrah diversitetin, paqen, solidaritetin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.
Austriakja ka theksuar se shpresojnë që Franca dhe Holanda do të largojnë veton e tyre për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, por edhe ka treguar se deri tani janë mbledhur mbi 12 mijë nënshkrime.
“Ne duam të mbledhim sa më shumë nënshkrime që është e mundur. Më shumë se 12 mijë njerëz kanë nënshkruar tashmë, dhe numri është ende në rritje. E kam një ndjenjë se do të ketë edhe shumë të tjerë. Ne do t’ua dërgojmë ato liderëve të BE-së para samitit të BE-së, që mbahet më 23 qershor dhe shpresoj se do t’i japin fund mosliberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresojë se do ta ndryshojmë qëndrimin e Francës dhe Holandës në mënyrë që ta heqin veton e tyre dhe që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm sikur evropianët e tjerë”.
Thirrjet e saj për rritje të numrit të nënshkrimeve në peticion nuk munguan në intervistën e dhënë për Klan Kosovën, ajo pohoi: “Besoj se mund ta bëjmë këtë. Në duhet ta shtyjmë dhe lusim të secilin që ta nënshkruaj peticionin. Pra çdo qytetarë të Kosovës dhe këdo që I mbështet ata”.
Sipas saj, Prishtina është gati që të ketë liberalizim të vizave, pasi thekson se janë përmbushur të gjitha kriteret.
“Ulrike Lunacek, ish-eurodeputetja dhe ish-nënkryetarja e Parlamentit evropian, sikur edhe unë nga Partia e Gjelbër, Austria e ka shpërndarë peticionin fillimisht duke e falënderuar Ulrike Lunacek dhe të tjerëve që ishin pjesë e kësaj çështje për një kohë të gjatë”.
“Mendoj se ka përkrahje në aspektin e liberalizimit të vizave përfshirë parlamentin evropian dhe komisionin evropian edhe shumë shtete, janë dy përjashtime, Franca dhe Holanda, presidenti Macron duhet ta përdorë presidencën e Francës në BE që ta ndryshojë këtë çështje. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, do të ishte një përmbyllje e drejtë dhe e rëndësishme për presidencën e Francës në BE”, ka thënë Schneeberger.