Barcelona është bërë klubi i parë nga të gjitha sportet që shpenzon më së shumti para për pagat e lojtarëve. Paga mesatare vjetore për një futbollit të klubit katalonas është afër 12 milionë euro.
Klubi spanjoll e ka marrë kreun në listën Global Sports Salaries Survey, pasi që lojtarët e tyre kanë një pagë mesatare prej afër 12 milionë eurosh në vit, pa përfshirë këtu bonuset e ndryshme, transmeton Gazeta Express.
Kjo mesatare është rritur shumë gjatë kohës së fundit për shkak të kontratës së re të yllit argjentinas të skuadrës, Lionel Messi, si dhe për shkak të transferimit të Philippe Coutinhos nga Liverpooli.
Edhe në vendin e dytë në këtë listë radhitet një klub spanjoll, Real Madridi. Përkundër transferimit të yllit portugez, Cristiano Ronaldos, në Juventus, “Los Blancos” shpenzojnë më shumë para tani, 9 milionë euro më shumë.
Shpenzuesit më të mëdhenj të vitit të kaluar, klubi i NBA, Oklahoma City Thunder, tani pozicionohet në vendin e tretë, ndërsa në dy vendet e radhës janë rivalët e Oklahomas, Golden State Warriors dhe Washington Wizards.
Manchester Unitedi është i vetmi klub i Premierligës në këtë listë dhe pozicionohet në vendin e dhjetë, pasi që shpenzon 7.4 milionë euro në vit. Vitin e kaluar, “Djajtë e kuq” radhiteshin në pozitën e 23-të.