IHMK-ja përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në pesë ditët e ardhshme në Kosovë do të mbretërojë mot i ndryshueshëm me diell dhe vranësira që në vende të ndryshme mund të sjellin riga lokale shiu.
“Gjatë kësaj periudhe Kosova do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ngritur atmosferik. Në këto kushte do të mbajë mot i ndryshueshëm me diell dhe vranësira të cilat gjatë javës vende-vende do të sjellin riga lokale të shiut, derisa në fundjavë pritet të ketë reshje të intensitetit mesatar dhe lokalisht të lartë”, thuhet në komunikatë.
IHMK-ja shton se temperaturat minimale do të lëvizin nga 9-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 24-27 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi deri 13m/s. Indeksi UV mbetet akoma i lartë, në shkalën e rrezikut.
“Nesër është dita e fundit e muajit prill. Ky muaj, prilli, krahasuar me ato të së paku 80 viteve më parë, del të jetë më i nxehti”, thuhet në komunikatë.