Konkursi për drejtor të ri të Policisë së Kosovës, i paraparë të mbyllet dje, do të vazhdojë të jetë i hapur edhe për një javë tjetër. MPB ka shtyrë për 7 ditë tjerë mundësinë për të aplikuar për shef të organit të sigurisë në vend.
Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të mbajë të hapur konkursin për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
I paraparë të mbyllet të martën në mesditë, konkursi, siç ka mësuar Gazeta Express, do të vazhdojë të jetë i hapur deri javën tjetër.
Arsyet e një vendimi të tillë ende janë të paqarta.
Megjithatë, MPB’ja ende nuk kanë konfirmuar shtyrjen e afatit për konkurrim për drejtorin e ri të Policisë, që pason Shpend Maxhunin që para gati dy muajsh braktisi këtë detyrë për t’u emëruar kryespiun.
Përkundër se Gazeta Express ka kërkuar informata rreth konkursit dhe numrit të aplikantëve që janë paraqitur deri të martën, kur ishte paraparë të mbyllej konkursi, MPB’ja nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Në garë për tu kthyer në pozitën që dikur drejtonte, sipas këtyre raportimeve është edhe ish-drejtori i policisë në vitet 2010-2011, Reshat Maliqi. Po ashtu, Kristë Gjokaj, tash për tash komandant i stacionit Policor në Gjakovë, Rashit Qalaj, nënkoloneli që drejton njërin prej pesë departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, atë të Operacioneve, dhe Naim Rexhaj që aktualisht ushtron detyrën e shefit të Policisë.
Sipas Ligjit për Policinë, kandidatët për emërim në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të PK’së nga ky konkurs i përzgjedh Komisioni i formuar nga kryeministri i vendit, të cilët i propozohen ministrit të brendshëm, e i cili në mbledhjen e Qeverisë ia propozon ata Qeverisë. Kjo e fundit i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, të cilin në fund e emëron shefi i ekzekutivit.
Kushtet e veçanta që duhet të përmbushin aplikantët për shef të Policisë janë, ndër tjera, edhe të ketë gradën policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vite para momentit të aplikimit. Po ashtu, kandidati duhet të mos jetë i ndëshkuar për shkelje të rëndë disiplinore sipas rregullores disiplinore të policisë apo rregullores së institucioneve tjera shtetërore brenda 10 viteve të fundit që është ekuivalente me shkeljet që përcaktohen në rregulloren e disiplinës së Policisë së Kosovës.