Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka quajtur legjitime kërkesën e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

Ai në një konferencë për media ka thënë se askush mos të derdhë lot krokodili në Kosovë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, derisa në anën tjetër pengon dialogun dhe e vonon, frenon apo e cenon vullnetin e tyre.

“Ne tani edhe jemi dëshmitarë, po ashtu, të institucionalizimit të kërkesës së liderëve të Luginës së Preshevës dhe vullnetit të qytetarëve atje për të respektuar plebishitin e vitit 1992 të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për bashkëngjitje me Kosovën.

Kjo temë dhe kjo kërkesë e tyre e shfaqur publikisht dhe e institucionalizuar në drejtim të Kosovës nuk është më tabu për mua. Prandaj, askush mos të derdhë lot krokodili për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe në anën tjetër e vonon, e frenon, e cenon vullnetin e tyre. Për këtë arsye ne po e zhvillojmë demokracinë, po zhvillojmë debat, po zhvillojmë ide të ndryshme, opinione të ndryshme, dhe përderisa diçka e tillë mund të jetë në interes të forcimit të shtetit të Kosovës, e ritheksoj për mua nuk paraqet ndonjë temë tabu”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se do ta prezantojë në dialog kërkesën e institucionalizuar të liderëve të Luginës së Preshevës. Ai ka ritheksuar se nuk do të ketë bosnjëzim të Kosovës, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk do të ketë Ahtisaari plus. “Edhe marrëveshja e vitit 2013 është plotësisht në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisaari”, ka thënë Thaçi.